Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë e Kosovës njofton opinionin e gjerë publik dhe bizneset se ueb faqja zyrtare e Dhomës së Tregtisë është sulmuar nga hakerë të panjohur gjatë dy ditëve te kaluara, me ç’rast qasja në ueb faqe ka qenë e pamundur.
Në njoftim thuhet se në rast të kërkimit në faqen zyrtare të Dhomës së Tregtisë, e njëjta shfaqej në një gjuhë të huaj aziatike apo nuk ekzistonte fare mundësia për qasje.
“Dhoma e Tregtisë shpreh shqetësimin e saj të thellë, pa si që, kjo nuk është hera e parë kur ueb faqja jonë zyrtare ballafaqohet me sulme kibernetike. Kjo është hera e dytë brenda këtij viti. Shqetësimi ynë bëhet çdo herë e më i thellë kur siguria nacionale po vihet në rrezik si pasojë e sulmeve kibernetike nga të cilat nuk kanë shpëtuar as institucionet shtetërore të Kosovës, ku si pasojë e tyre ishin jashtë funksionit faqet zyrtare të qeverisë dhe shërbimeve për publikun”, thuhet në njoftim.
Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë e Kosovës njofton se aktualisht ueb faqja zyrtare e saj është rikthyer dhe gjendja është e qëndrueshme, si rezultat i masave të ndërmarra me kohë.


