Ministri i Financave, Hekuran Murati ka publikuar një fotografi lidhur me sulmin e djeshëm të PDK-së ndaj tij dhe kabinetit qeveritar në Kuvend, duke thënë se ishte veprim i paramenduar e i planifikuar nga kjo parti.
Ndërsa për deklaratat e deputetëve të PDK-së, që thanë se kanë vepruar në vetëmbrojtje, Murati ka ironizuar duke thënë se “ata vrapuan nga fundi i sallës drejt nesh, që të vetëmbroheshin”.
“A, nëse i keni dëgjuar mbrëmë analistët nëpër studio dhe deputetët që më sulmuan, edhe mund të krijohet përshtypja se deputetin Lushtaku e sulmuam nga ulësja e qeverisë e ai u vetëmbrojt te ulëset e qeverisë. E me të parë Mërgimin teksa vetëmbrohej, Hajdar Beqa e Bekim Haxhiu u nisën nga fundi i sallës me vrap drejt nesh, që të vetëmbroheshin edhe ata”, ka shkruar më tej ai.
“Se kush kë e sulmoi, qytetarët e kanë parë në video. Shpresoj që edhe hetuesia e prokuroria të kenë parë videot e njëjta që panë qytetarët”, tha ndër të tjerash ai.
Kujtojmë se gjatë fjalimit të kryeministrit Albin Kurti në seancën e djeshme të Kuvendit të Kosovës, deputetë e ministra janë përfshirë në përleshje fizike.
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës në drejtim të foltores së Kuvendit, Mërgim Lushtaku ka hedhur ujë në drejtim të Kurtit dhe zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi. Ky i fundit e ka hedhur shishen në drejtim të tij. Më pas, Lushtaku e ka shtyrë ministrat Hekuran Murati dhe Albulena Haxhiun. Kjo e fundit është dëgjuar të thotë “a je normal”.
Ndërkaq, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka thirrur Policinë brenda sallës së parlamentit.
Theksojmë se pas kësaj me ftesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, janë intervistuar Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ministri Hekuran Murati, deputeti i PDK-së Mërgim Lushtaku dhe Hajdar Beqa.