Për nderë të 13 Qershorit, Ditës së Çlirimit, sot Komuna e Suharekës ka zhvilluar aktivitete të shumta në kujtim të kësaj dite. Kryetari i Komunës së Suharekës Bali Muharremaj bashk me bashkëpunëtor, veteranë të luftës dhe veprimtarë të çështjes kombëtare nderuan dëshmorët e lirisë dhe viktimat e luftës.
Sipas agjendës, homazhe e nderime u bënë te varrezat e dëshmorëve në Suharekë, te shtatorja e heroit Besim Ndrecaj, te shtatorja e heroit Fadil Vata, te lapidari i dëshmorit Kenan Halimi, te shtatorja e ish-kryetarit të Komunës Ukë Bytyqi, te obelisku i viktimave civile në Suharekë, te varrezat e Berishëve në Suharekë, te varri i ish-kryetarit Ukë Bytyqi në Semetisht, te vendi i vrasjes së gazetarëve gjermanë e në fund te varrezat e dëshmorëve në Greiçec.