Shteti i Sudanit është bërë i 119-ti që e ka njohur Pavarësinë e Kosovës. Njohja u konfirmua të shtunën nga takimi i ministrit të Jashtëm i këtij shteti me presidenten Vjosa Osmani
E vendimi u bë publik pikërisht kur në Serbi – që në vazhdimësi lufton kundër njohjeve të Kosovës – u paralajmëruan aktivitete për të shënuar “jubileun historik” të raporteve Serbi-Sudan.
“Para 70-vjetorit të raporteve diplomatike Serbi-Sudan vitin e ardhshëm, ministri Ali Youssef Ahmed Al-Sharif dhe unë patëm diskutim në telefon për mundësinë e ndërmarrjes së aktiviteteve të përbashkëta për të shënuar këtë jubile të rëndësishëm. Po ashtu u pajtuam që të prioritizojmë intensifikimin e dialogut tonë politik dhe bashkëpunimit në tregti e arsim në periudhën përpara”, pati shkruar ministri në detyrë i Punëve të Jashtme i Serbisë, Marko Gjuriq më 3 prill në Instagram.
Sot, 12 prill, ministri Youssef në takimin me presidenten Osmani në margjina të Forumit Diplomatik të Antalias tha se është i nderuar që në emër të popullit të Sudanit e njeh Kosovën si shtet.
“Jam i nderuar dhe i privilegjuar që jam dërguar nga presidenti im këtë pasdite, dhe pas takimit me presidentin Recep Tayyip Erdogan, që ishte një ogur i mirë për këtë mbledhi që e kemi këtu në Turqi, dhe që vendosëm ta njohim vendin tuaj të bukur. Jam shumë i nderuar që në emër të popullit paqedashës të Sudanit, e njohim shtetin tuaj si një pjesëtar të komunitetit ndërkombëtar…. Dua që po ashtu t’i përcjellë urimet e përzemërta të presidentit tim dhe të kolegëve që tani janë këtu me mua, dhe dëshirojmë që ky të jetë fillimi i një bashkëpunimi që neve në Sudan na duhet shumë, pasi që ju, në fakt, jeni një vend i vogël porse jeni plot me përvojë dhe me njohuri. Dhe pasi që bisedova me ju tani duket se do të kemi marrëdhënie bilaterale shumë të forta. Vendi juaj gjithashtu ka pasur luftë dhe ne kemi probleme serioze e jemi vend paqedashës dhe do t’ju drejtohemi në të ardhmen, në të ardhmen shumë të afërt. Dhe natyrisht jemi të nderuar që t’ju kemi mysafir në Sudan dhe jam i sigurt se do të nisim të kemi vizita. E kemi ambasadorin tonë këtu. Pranoni urimet e mija dhe pranojeni përkushtimin tim shumë të çiltër për zhvillimin e marrëdhënieve të mira me vendin tuaj”, ka thënë ministri sudanez.
Teksa Kosova zyrtarisht njihet nga 119 shtete, sipas listës së Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës, Serbia pretendon se nga këto shtete 28 e kanë tërhequr njohjen. Këtu pretendohet edhe Sierra Leona, përfaqësues të lartë të të cilit shtet patën takim një ditë më parë me Osmanin.