Zëdhënësi i Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri Peter Stano ka refuzuar t`i komentojë deklaratat e presidentit Serb Aleksandar Vuçiq i cili një ditë pasi u pranua propozimi evropian, deklaroi se nuk do ta respektojë pikën 4 e cila parasheh që Serbia të mos e pengojë anëtarësimin e Kosovës në organizata të ndryshme ndërkombëtare.
“Nuk do të hyjmë në komentime të secilës deklaratë, apo secilit interpretim në rajon rreth asaj se për çfarë ishin pajtuar liderët. Kjo është shumë e qartë nga teksti“ ka thënë Stano duke precizuar se nga e hëna propozimi evropian u shndërrua në marrëveshje bazë për rrugën drejt normalizimit të raporteve në mes të Kosovës e Serbisë.
I pyetur lidhur me mosgatishmërinë e palës serbe që ta nënshkruaj marrëveshje, ashtu siç kishe pohuar kryeministri kosovar, Stano tha se “nuk ishte planifikuar nënshkrimi por diskutimet për propozimin për të cilin u pajtuan të dyja palët se nuk ka më nevojë për diskutime shtesë rreth këtij Propozimi evropian.
Ai gjithashtu ka konfirmuar se do vazhdojnë angazhimet për planin e implementimit të kësaj marrëveshjeje në mënyrë që të sigurohen hapat konkret në rrugën drejt normalizimit të raporteve.
Ndërkohë, përfaqësuesi i veçantë evropian për Dialog Miroslav Lajçak ka paralajmëruar se takimi i radhës i liderëve do mbahet gjatë muajit mars në Ohër të Maqedonisë së Veriut.
Edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e ka shkelur nenin e katërt të propozimit të Bashkimit Evropian, pasi është zotuar se do ta kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.
Kurti shkroi dje në Twitter të mërkurën se Serbia ka vendosur të mos i normalizojë marrëdhëniet mes dy palëve.
“Presidenti i Serbisë u zotua mbrëmë se do të kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në OKB. Kjo do të përbënte një shkelje të qartë të Artit. 4 të propozimit të BE-së. Normalizimi i marrëdhënieve është i mundur vetëm nëse të dyja palët negociojnë në mirëbesim. Serbia me sa duket ka vendosur të mos e bëjë këtë”, tha Kurti.


