Dega e Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë ditë më parë ka iniciuar mbajtjen e një seance të jashtëzakonshme, në të cilën do të procedohet shkarkimi i kryesuesit të Kuvendit Komunal, Pëllumb Bajqinovci.
Është asamblisti i Vetëvendosjes, Gëzim Sveçla, i cili ka publikuar dokumentin e treguar se seanca për shkarkim do të mbahet sot nga ora 15:00.
“Sot në ora 15:00, Kuvendi Komunal i Prishtinës mban mbledhje të jashtëzakonshme. Pika e vetme e rendit të ditës është: Shkarkimi i Kryesuesit të Kuvendit”, ka njoftuar Sveçla.
E në kumtesën e lëshuar ditë më parë për këtë çështje, LVV tregoi se ka mbështetje edhe nga asamblistët e AAK-së, një asamblist të ARK-së dhe një i pavarur.
“Këshilltarët Komunal të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, me mbështetje të këshilltarëve të AAK-së, një këshilltari të AKR-së dhe një këshilltari të pavarur, kanë inicuar mbajtjen e mbledhjes së jashtëzakonshme të Kuvendit Komunal të Prishtinës me të vetmen pikë të rendit të ditës: Shkarkimin e kryesuesit të Kuvendit Komunal”, thuhej në njoftim.
Pëllumb Bajqinovci u zgjodh kryesues i Kuvendit Komunal më 21.07.2023 pas shkarkimit të Fehmi Kupinës më 27.06.2023 pas propozimit të LDK-së, shkarkim të cilin opozita e ka quajtur të paligjshëm dhe që nuk janë respektuar opinionet ligjore të Ministrisë së Pushtetit Lokal.
Opozita madje pati bojkotuar disa seanca për faktin se, sipas tyre, kryetari nuk po përfill Ministrinë për ligjshmërinë e vendimeve që dalin nga Kuvendi Komunal.