Në Kuvendin e Republikës së Kosovës sot dhe nesër mbahet takimi i nëntë i Komisionit Parlamentar për Stabilizim-Asociim, BE – Kosovë.
Në një njoftim të lëshuar për media nga Kuvendi thuhet se punimet do të fillojnë të enjten në orën 16:00, ndërsa do të drejtohen nga dy bashkëkryesuesit e komisionit, Mimoza Kusari-Lila dhe Romeo Franz, të cilët gjithashtu do të mbajnë nga një fjalim hyrës.
“Në vazhdim ligjvënësve me nga një fjalë rasti do t’u drejtohen kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ministri Elbert Krasniqi, në emër të qeverisë, si dhe shefi i Zyrës së BE-së/Përfaqësuesi Special i BE-së në Kosovë, Tomáš Szunyog. Do të diskutohet gjithashtu lidhur me progresin e arritur në reformat që lidhen me integrimin në BE, të drejtat themelore me fokus te komunitetet jo shumicë, të drejtat e grave dhe dhunën ndaj grave, sundimin e ligjit, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, për shoqërinë civile dhe mediat, krizën energjetike, kujdesin shëndetësor dhe mjedisin”, njofton Kuvendi i Kosovës.


