Ushtrimi fillon sot në Babaj të Bokës të Gjakovës, me pjesëmarrjen e 25 mijë ushtarëve nga 29 vende. Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, tha për RTK-në se kjo tregon besimin e SHBA-së në kapacitetet e FSK-së.
Hollësi për ushtrimin ka dhënë ministri në detyrë i mbrojtjes, Ejup Maqedonci.
“Veçanti është se këtë vit, vendi ynë, Kosova është përzgjedhur nga ushtria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Evropë dhe Afrikë si vend ku do të vendoset komanda e divizionit 28 të këmbësorisë së ushtrisë së Shteteve të Bashkuara Të Amerikës, kjo ka rëndësi jashtëzakonisht të madhe për vendin tonë, tregon për besimin që Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë në profesionalizimin e ushtrisë sonë”, ka theksuar ai.
Maqedonci tregon edhe për objektivat e këtij ushtrimi të rëndësishëm për vendin.
“Ne kemi vendosur objektivat për këtë ushtrim dhe objektivat operacionale për ushtrimin ‘Defender Europe’ nga ana jonë, e Kosovës janë që të integroj njësitë tona në brigade shumëkombëshe, që të demonstroj aftësinë për të pritur një komandë të lartë ushtarake siç është divizioni 28 në territorin e Kosovës, duke e mbështetur këtë divizion ne arrijmë një prej objektivave që kemi për këtë ushtrim që të demonstrojmë aftësinë që kemi kapacitete për të mbajtur si nikoqir një divizion të këtyre përmasave”, ka thënë ai.
FSK gjatë këtij ushtrimi do t’i zhvillojë disa operacione.
Në këtë ushtrim pritet të marrin pjesë 29 shtete me 25 mijë ushtarë të angazhuar. “Defender…” do të zgjasë deri më 9 qershor, gjatë të cilit FSK pritet të tregojë gatishmërinë operacionale dhe shkallën e ndërveprueshmërisë luftarake në partneritet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Shqipërinë, Kroacinë, Maqedoninë e Veriut dhe Bullgarinë.