Faqja që jep informata lidhur me liberalizimin e vizave, Integrimi Evropian i Kosovës, ka publikuar në rrjetin social Facebook edhe disa informata që kanë për qëllim të njoftojnë qytetarët me këtë proces dhe të drejtën e qëndrimit nëpër vendet e Bashkimit Evropian, apo zonën Shengen nga 1 janari i vitit 2024.
“Ju mund të qëndroni 90 ditë në çdo periudhë 180 ditore brenda zonës Shengen. Nëse udhëtoni disa herë, duhet të llogaritni me kujdes ditët e qëndrimit, pasi periudha e përgjithshme e qëndrimit nuk duhet të kalojë totalin prej 90 ditësh brenda periudhës 180 ditore”, thuhet në njoftim.
Periudha e llogaritjes së 90 ditëve fillon që nga momenti kur ju hyni për herë të parë në zonën Shengen.
“Për shembull, nëse më datë 1 janar 2024 ju hyni për herë të parë në zonën Shengen ju keni të drejtë qëndrimi vetëm deri me 30 mars, 2024. Periudha e ardhshme gjashtë mujore fillon pas 180 ditësh ose më saktë me 29 qershor 2024, kur ju përsëri mund të udhëtoni”, thuhet në njoftim.
Nëse udhëtoni shpesh në zonën Shengen , duhet të numëroni ditët e mbetura nga periudha e fundit gjashtë mujore.
“Ju mund të hyni në zonën Shengen më shumë se një herë gjatë periudhës 90 ditëshe. Por, duhet të llogaritni me kujdes ditët e qëndrimit tuaj si periudhën e përgjithshme të qëndrimit, e cila nuk duhet të kalojë totalin e përgjithshëm prej 90 ditësh të qëndrimit brenda periudhës 180 ditëshe”, thuhet në njoftim.


