Pagesat e pensioneve në Kosovë do të ekzekutohen gjatë ditës së sotme.
Ministria e Financave ka njoftuar një ditë më parë që pensionet pritej të dilnin të hënën, por janë shtyrë për një ditë për shkak të shtesave prej 100 eurosh, sipas vendimit të Qeverisë në kuadër të Pakos për përballje me inflacionin.
Në njoftimin e ministrisë është thënë se ka qenë i nevojshëm një proces shtesë verifikimi sa i përket aplikimit për shtesat.
“Arsyeja e shtyrjes është aplikimi i shtesës prej 100 euro sipas vendimit të Qeverisë në kuadër të Pakos për Përballje me Inflacionin, për të cilën ka qenë i nevojshëm një proces shtesë verifikimi. Duke shpresuar në mirëkuptim të të gjithë përfituesve, ju sigurojmë se stafi i ministrisë është duke punuar intenzivisht ashtu që ekzekutimi i pensioneve me shtesën prej 100 euro të bëhet nesër që në sesionin e paradites”, është thënë në njoftim.
Në kuadër të pakos për përballje me inflacionin, që kap shumën 150 milionë eurosh, Qeveria e Kosovës muajin e kaluar ka mbështetur me dyfishim të vlerës se asistencës sociale familjet që marrin këtë ndihmë.
Po ashtu, nga 50 euro shtesë kanë marrë punëtorët e sektorit publik dhe nga 100 euro kanë marrë punëtorët e ndërmarrjeve publike.
Ndërkaq sot shtesat prej 100 eurosh sot do të ekzekutohet për pensionistët. Po këtë shumë, në muajin nëntor do ta marrin edhe studentët./KosovaNews/