Një ngjarje e rëndë është shënuar sot në mesditë në fshatin Llaushë të Skenderajt, ku një burrë rreth moshës 64-vjeçare ka humbur jetën si pasojë e plagëve nga arma e zjarrit.
Sipas informacioneve të konfirmuara nga zëdhënësi i Policisë për rajonin e Mitrovicës së Jugut, Avni Zahiti, rasti dyshohet të jetë vetëvrasje.
Sipas Policisë, rreth orës 12:15 është raportuar për një person të plagosur me armë zjarri, i cili më pas është transportuar me urgjencë në Spitalin Rajonal të Mitrovicës. Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, rreth orës 13:36 është konstatuar vdekja e viktimës, G.B., mashkull i moshës 64-vjeçare.
“Bazuar në hetimet fillestare dhe këqyrjen e vendit të ngjarjes, në afërsi është gjetur një armë e shkurtër – pistoletë me shtatë fishekë dhe një gëzhojë të shkrepur. Hetuesit policor, në koordinim me prokurorin kompetent, po e trajtojnë rastin si vetëvrasje,” tha zëdhënësi Zahiti.
Trupi i pajetë i viktimës, me urdhër të prokurorit të rastit, është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore.
Policia po vazhdon hetimet për të zbardhur rrethanat e plota të kësaj tragjedie që ka tronditur banorët e fshatit të qetë të Llaushës.


