Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë ndaj tre personave të dyshuar për përfshirje në manipulime me certifikata mjekësore dhe dokumente për patentë-shoferë.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, aktakuza është ngritur kundër të pandehurit L.B., për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, si dhe ndaj U.M. dhe I.G., për veprën penale “Legalizimi i përmbajtjes së rreme”.
Sipas aktakuzës, më 15 korrik 2023 në Prizren, i pandehuri L.B., në cilësinë e drejtorit të një poliklinike të autorizuar nga Ministria e Shëndetësisë për lëshimin e certifikatave mjekësore për kandidatët për patentë-shofer, ka tejkaluar kompetencat e tij ligjore. Ai dyshohet se ka lëshuar certifikata mjekësore për kandidatë që në atë kohë ndodheshin jashtë Kosovës, duke vërtetuar në mënyrë të pavërtetë se ata kishin kryer kontrollin mjekësor.
Këto certifikata janë përdorur për regjistrimin e kandidatëve në auto-shkollat “S.” në Prizren dhe “F.” në Malishevë, me ç’rast emrat e tyre janë dërguar në Departamentin e Patentë Shoferëve si pjesë e listave zyrtare për ndjekjen e ligjëratave.
Ndërkohë, të pandehurit U.M. dhe I.G., në cilësinë e përfaqësuesve të këtyre auto-shkollave, dyshohet se kanë përpiluar dhe dorëzuar dokumente të rreme për kandidatët, duke i paraqitur sikur kishin ndjekur ligjëratat teorike edhe pse ata nuk ndodheshin në territorin e Kosovës.
Prokuroria ka kërkuar nga gjykata që pas shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit të provave, të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit për veprat penale për të cilat akuzohen.


