Stacioni i autobusëve në Prishtinë është rikthyer në funksion normal, pasi autoritetet përfunduan kontrollet e sigurisë të zhvilluara pas një dyshimi për mjet shpërthyes.
Për rreth dy orë zona ishte rrethuar nga Policia e Kosovës me shirita sigurie, ndërsa qarkullimi i autobusëve dhe qasja e qytetarëve u kufizuan për arsye sigurie. Në vendin e ngjarjes intervenuan njësitet kompetente, të cilat kryen kontrolle të detajuara.
Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prishtinës, Enis Pllana ka thënë se pas kontrolleve të kryera nga njësitet kompetente, nuk është gjetë asgjë e dyshimtë.
“Pas kontrolleve të kryera nga njësitet kompetente, nuk është gjetë asgjë e dyshimtë. Hetuesit policor në koordinim me prokurorin e shtetit, kanë filluar punën për zbardhjen e të gjitha rrethanave që ndërlidhen me këtë rast i cili është cilësuar si lajmërim i rrejshëm”, ka thënë ai për Ekonomia Online.



