Situata në veriun e Kosovës është bërë pjesë e ballinave të disa prej mediave më prestigjioze në botë të hënën.
Mediat si Associated Press, CNN, BBC e Reuters kanë shkruar për vendimin e Qeverisë së Kosovës, për shtyrje të vendimit të marrë më 29 qershor për reciprocitet për dokumente me Serbinë dhe për targa, pas tensioneve në veri.
“Autoritetet e Kosovës herët të hënën kanë lëvizur për të lehtësuar tensionet në rritje etnike në vend duke shtyrë një urdhër të diskutueshëm për targat e automjeteve dhe kartat e identitetit që shkaktoi trazira nga serbët e pakicës që vendosën postblloqe, lëshuan sirenat e sulmit ajror dhe qëlluan me armë në ajër”, shkruan ndër të tjera AP.
“Pas tensioneve të dielën dhe konsultimeve me ambasadorët e SHBA-së dhe BE-së, qeveria tha se do ta shtyjë deri më 1 shtator një vendim që u jep serbëve vendas 60 ditë afat për të kaluar në targat e Kosovës dhe kërkon që të lëshohen dokumente shtesë në kufi për qytetarët serbë, duke përfshirë ata që jetojnë në Kosovë pa dokumente vendore”, shkruan Reuters.
Edhe BBC shkruan se Kosova është detyruar ta shtyjë vendimin për një muaj për shkak të rritjes së tensioneve në veri.
“Qeveria e Kosovës ka shtyrë zbatimin e rregullave të reja që do t’i detyronin njerëzit në zonat me shumicë etnike serbe të ndërrojnë targat e tyre të makinave të lëshuara nga Serbia me ato të Kosovës”, raporton BBC.
Ndërkaq, CNN shkruan se “Helikopterët e misionit të KFOR-it të udhëhequr nga NATO-ja fluturuan mbi veriun e Kosovës, i cili është i populluar me shumicë serbe dhe i lidhur drejtpërdrejt me Serbinë. Vendkalimet kufitare Bërnjak dhe Jarinje kanë mbetur të mbyllura”.
Ndërkohë, rrugët që çojnë drejt dy pikave kufitare në Bërnjak dhe Jarinje janë liruar mesditën e së hënës.
Kamionët që ishin vendosur në këto rrugë për t’i bllokuar dy pikëkalimet kufitare janë larguar tashmë, ndonëse në urën që ndodhet shumë pranë pikë kalimit në Bërnjak vazhdojnë të mbesin një kamion dhe një ekskavator për të cilët, ekipi i KOHËS që po qëndron atje ka raportuar se janë prishur dhe nuk po ndizen.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë në një konferencë për media të hënën se Kosova do ta shtyjë vendimin për reciprocitet për dokumente dhe për targa sapo të largohen të gjitha barrikadat në veri.
Kurti ka kërkuar nga NATO-ja dhe BE-ja që ta dënojnë agresionin e grupeve serbe në veri.


