Gratë biznismene në Kosovë po përballen me sfida të vazhdueshme, të cilat po vështirësojnë zhvillimin e aktiviteteve të tyre dhe ruajtjen e qëndrueshmërisë së bizneseve. Ato kërkojnë më shumë përkrahje nga qeveria. Sikur të kishte investime në pajisje dhe lehtësira për qasjen në treg, puna e tyre, vlerësojnë ato, do të kishte më shumë rezultate.
Havushe Bunjaku, pronare e biznesit “99 lule”, e specializuar për grumbullim, kultivim dhe përpunim të bimëve mjekësore aromatike, ku janë të punësuara mbi 55 gra sezonale, shpjegon se biznesi me të cilin merret ka shumë sfida. “Biznesi gjithmonë ballafaqohet me sfida, sidomos tek gratë. Sepse është një biznes i kushtueshëm, kërkon pajisje adekuate, kërkon edhe investim të vazhdueshëm si në lëndë të parë, si në inpute bujqësore. Pastaj edhe në paketim, përpunim, fuqi punëtore, kështu që sfidat thuaja se po na përcjellin vit pas viti. Edhe këtë vit kemi pasur sfida më shumë si shkak i kushteve klimatike, një thatësirë shumë e madhe ka qenë një kohë të gjatë e pastaj, të reshurat e tepërta në fillim të pranverës. Por kemi shumë pasion edhe i kam njohuritë si biologe, andaj i përqendrova shumë biznesit”, tha ajo.
Një tjetër problem, sipas saj, është edhe rritja e çmimeve, sidomos për shkak të energjisë dhe kostos së prodhimit. “Ngritja e rrymës ndikon në rritjen e çmimit të produktit. Në këtë krizë kur ta rritësh çmimin e produktit, menjëherë edhe e vëren që bie shitja. Ne nuk jemi shumë të varur nga rryma sepse kemi panelet solare dhe gjithë sezonin punojmë pa shpenzim të energjisë. Tash nuk e di si do të jetë situata gjatë dimrit, sepse edhe atëherë duhet që të punojmë, të paketohet, të mbahet ngrohtë ambienti, pastaj të grihen bimët, të klasifikohen. Këto krejt punojnë me rrymë. Panelet diellore veç verës prodhojnë, dimrit jo. Kjo na prek edhe neve, por më shumë kultivuese të tjera që kanë nevojë për ujitje dhe shpenzime shtesë. Fitimi i ulët dhe shpenzimet e mëdha janë frikë që mund të çojnë në zhgënjim”, tha Bunjaku.
Ajo bëri thirrje që qeveria t’i kushtojë më shumë vëmendje grave sipërmarrëse dhe sektorit ku ato veprojnë. “Nga qeveria kërkojmë më shumë vëmendje, përveç përkrahjes, sepse është biznes i kushtueshëm dhe vazhdimisht kërkon mbështetje. Në anën tjetër, investimi tek gratë është i rëndësishëm edhe përmes kanalizimit të tregut, me më shumë hapësirë për prodhuesit vendor, sidomos tek tregtarë të mëdhenj dhe markete. Të kemi një vend ku ekspozojmë produktet tona, sepse janë të shëndetshme dhe të tokës tonë. Mungesa e lidhjes me tregun na shkakton telashe. Përkrahja më e madhe për gratë është e domosdoshme, sepse sidomos ato në zonat rurale janë me përqindje shumë të vogël që posedojnë prona dhe biznese të regjistruara. Nuk mund të punosh kur dëmtohesh vazhdimisht”, tha ajo.
Sfida të ngjashme po hasin edhe bletaret në vend. Ardita Kastrati, e cila merret me bletari prej 15 vitesh dhe ka në pronësi 140 koshere, tregon se kushtet atmosferike janë ndër pengesat kryesore. “Temperaturat e larta por edhe të ulëta nuk i duan bletët. Këtë vit kanë ndikuar shumë temperaturat e larta. Kemi pasur subvencione, kemi pasur përkrahje, por mund të ishte edhe më mirë. Normalisht që na prekin këto gjëra, sidomos ngritja e çmimeve, për shkak të gjendjes së njohur në Kosovë me rroga e kushte të tjera. Është vështirë të përballohen. Në produktin tonë jo, por në kavanozë dhe gjëra përcjellëse nuk ka pasur shumë lëvizje të çmimeve”, tha Kastrati.




