Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka zhvilluar një takim zyrtar me Presidentin e Letonisë, Edgars Rinkēvičs, gjatë të cilit është theksuar vullneti i përbashkët për thellimin e bashkëpunimit bilateral.
Në një postim në rrjetet sociale, Osmani e ka cilësuar takimin si një diskutim përmbajtësor dhe ka falënderuar homologun leton për përkrahjen e jashtëzakonshme që Letonia i ka dhënë Kosovës në të gjitha fazat e shtetndërtimit.
“Diskutime përmbajtësore dhe vullnet i përbashkët për bashkëpunim të thelluar. Në takim me Presidentin e Letonisë, Edgars Rinkēvičs e falënderova për përkrahjen e jashtëzakonshme ndaj Kosovës në çdo fazë të shtetndërtimit dhe për zërin e fuqishëm në mbështetje të rrugës sonë euroatlantike”, ka shkruar Osmani.
Ajo shtoi se ekonomia, siguria dhe fusha të tjera me interes të ndërsjellë do të jenë kapituj të rinj të bashkëpunimit mes dy vendeve që ndajnë vlera të përbashkëta.
Takimi vjen në kuadër të përpjekjeve të vazhdueshme të institucioneve të Kosovës për të forcuar marrëdhëniet me shtetet aleate dhe për të avancuar integrimin ndërkombëtar të vendit.


