Drejtori i Policisë në veri të Kosovës, Nenad Gjuriq është suspenduar me rekomandim të Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK).
Vendimit e suspendimit e mori Policia e Kosovës pas rekomandimit nga IPK dhe siç mësohet Gjuriq ka pranuar vendimin dhe ka dorëzuar armën.
Kjo ka noddhur pasi kështu parashihet edhe në bazë të rregullave dhe procedurave, kur një zyrtar policor suspendohet.
Inspektorati Policor i Kosovës njoftoi sot për rekomandimin për suspendimin e drejtorit të policisë në veri të vendit.
Ai po dyshohet se me deklaratat e tij mohuese për shqiptim të qortimeve ndaj qytetarëve serb për targat, ka kryer veprat penale të sabotimit dhe thirrjes për rezistencë.
Përkrah suspendimit, IPK ka thënë se kishte ndërmarrë menjëherë hetimin për rastin ndaj drejtorit rajonal të policisë në veri.
Njoftimi i plotë për suspendim nga Policia e Kosovës:
Me datë 03.11.2022, u.d. drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës me rekomandim të IPK-së ka suspenduar nga ushtrimi i detyrave të përgjithshme të punës dhe autorizimeve policore drejtorin rajonal të Mitrovicës Veri, për mosrealizim të autorizimeve ligjore dhe zbatim të vendimeve zyrtare.
Suspendimi i tij është mbështetur në autorizimet ligjore, udhëzimin administrativ Nr.04/19 për shkeljet, masat dhe procedurat disiplinore në Policinë e Kosovës dhe rekomandimit të IPK-së.
Policia e Kosovës, do të vazhdojë angazhimet e saja në realizimin e detyrave dhe autorizimeve ligjore, duke qenë profesionale në shërbim të vendit dhe të gjithë qytetarëve pa dallime, andaj nuk do të tolerojë përfshirjen e asnjë punonjësi në aktivitete apo veprime që bien në kundërshtim me dispozitat ligjore dhe udhëzimet administrative të PK-së.