Dëshmitari në rastin e vrasjes së politikanit serb Oliver Ivanoviq, Stanko Axhiq, ka thënë se kamerat e sigurisë në zyrat e partisë së Ivanoviqit, “pas vrasjes kanë qenë të ndalura”
Këtë deklaratë ai e ka dhënë derisa i është përgjigjur prokurorit, në seancën që është duke u mbajtur për këtë rast.
Gjyqtari Valon Kurtaj, e ka pyetur dëshmitarin se kush ka pasur qasje në zyrën e partisë së Ivanoviqit. Axhiq është përgjigjur se vetëm i ndjeri e njëra prej të akuzuarave, Silvana Arsiq, i kanë pasur çelësat e partisë.
“Sa e di vetëm Oliveri dhe Silvana i kishin çelësat e Silvana (Arsoviq) vinte herët në punë”, është shprehur dëshmitari.
E akuzuara Silvana Arsiq, ia ka bërë dëshmitarit një pyetje hipotetike, duke e ndërlidhur me akuzat që rëndojnë mbi të.
“Po të kishit informata që unë jam kokë e krimit të organizuar a do t’i kishit treguar Oliverit”, ka pyetur ajo. Dëshmitari Axhiq është përgjigjur “po natyrisht”.
Avokatja e Arsiqit, Jovana Filipoviq, e ka pyetur të akuzuarin se sa është përkujdesur Oliver Ivanoviqi, për kamerat e sigurisë së zyrës së subjektit të tij politik. Axhiq është përgjigjur se i ndjeri nuk i linte kamerat jo-funksionale as edhe për një orë.


