Policia e Kosovës ka dalë më një njoftim për media lidhur me rastin e djegies së dy veturave në veri të vendit.
Në njoftim thuhet se sot rreth orës 08:15, në stacionin policor në Zubin Potok janë paraqitur dy ankues meshkuj/kosovar të nacionalitetit serb dhe kanë raportuar se gjatë natës, konkretisht rreth orës 02:30, nga persona të panjohur iu janë djegur dy veturat e tyre private me targa të Republikës së Kosovës (RKS), sipas tyre të regjistruara rreth një javë më përpara.
“Palët ankuese raportojnë se veturat e tyre kanë qenë të parkuara e lagjen e tyre, para shtëpive të banimit. Pas pranimit të informacioneve njësitet policore menjëherë kanë dalë në vendin e ngjarjes duke angazhuar njësitë kompetente policore si dhe janë njoftuar ekspertë të zjarrit”, thuhet në njoftim.
Tutje bëhet e ditur se lidhur me rastin janë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore, është njoftuar prokurori kompetent me udhëzim të të cilit është iniciuar rasti “zjarrvënie” për procedura të mëtejme hetimore.
Policia e Kosovës thekson se mbetet e përkushtuar në zbardhjen e rasteve të tilla, shtimin e patrullimeve dhe ofrimin e sigurisë për të gjithë qytetarët pa dallim.