Një person ka pësuar lëndime në aksidentin në të cilin janë përfshirë dy automjete në autostradën “Arbën Xhaferi”, drejtimi Prishtinë-Ferizaj. Zëdhënësi i Policisë, Daut Hoxha, ka bërë të ditur se aksidenti ka ndodhur rreth orës 20:00.
“Sonte rreth orës 20:00, në autostradën “Arbën Xhaferi” drejtimi Prishtinë-Ferizaj, kilometri 28, është raportuar për një aksident trafiku. Njësitet kompetente policore për kontroll dhe menaxhim të autostradës i;u kanë përgjigjur rastit dhe pas arritjes në vendin e ngjarjes kanë konstatuar se në aksident janë përfshirë dy automjete me targa vendore, përderisa një person i lënduar ka kërkuar ndihmën mjekësore”- ka bërë të ditur zëdhënësi i Policisë. Ai tha se në vendin e ngjarjes njësiti i hetimeve në kuadër të njësisë për kontroll dhe menaxhim të autostradës ka kryer procedurat e nevojshme dhe hetimet e tjera lidhur me shkaktarët e aksidentit.Tutje, Hoxha u bëri thirrje vozitëseve të kenë kujdes gjatë ngasjes së makinave dhe shpejtësinë ta përshtasin me kushtet në rrugë.
