Policia e Kosovës (PK), në vazhdën e avancimit dhe rritjes së mëtejme të kapaciteteve në fushën e bashkëpunimit ndërkombëtar policor, konkretisht të bashkëpunimit me EUROPOL-in, tani më ka dërguar zyrtarin e parë ndërlidhës në EUROPOL, i cili ditë më parë ka filluar zyrtarisht detyrën.
Zyrtari ndërlidhës që ka shkuar zyrtarisht për të punuar me EUROPOL është zyrtari policor Besnik Sallahu.
Kështu tani Kosova do ta ketë më të lehtë mundësinë që në kanale zyrtare të shkëmbejë informacione me EUROPOL-in, si dhe të shkëmbejë analiza për situatën e përgjithshme që ndërlidhen me krimin.
Qëllimi primar i Policisë së Kosovës vazhdon të mbetet avancimi i mëtejmë i bashkëpunimit të drejtpërdrejtë me EUROPOL-in, bashkëpunim ky i cili ndihmon dhe ndikon në lehtësimin e komunikimit dhe krijimit të një partneriteti të drejtpërdrejtë.
Bashkëpunimi përfshin edhe koordinimin e aktiviteteve të përbashkëta ndërmjet EUROPOL-it dhe institucioneve të zbatimit të ligjit, në angazhimin e vazhdueshëm të luftës së përbashkët kundër terrorizmit, krimit të organizuar dhe të gjitha formave tjera të krimit.
Kosova dhe Agjencia e Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit, EUROPOL, vite më parë nënshkruan një Marrëveshje të Punës, që ka për qëllim luftimin e krimeve të rënda, por vetëm tash një zyrtar nga Kosova shkon e punon direkt me këtë institucion.