Ministri i brendshëm Xhelal Sveçla ka përgëzuar Policinë e Kosovës, Prokurorinë dhe të gjitha institucionet tjera për realizimin e suksesshëm të aksionit ‘Brezovica’.
Sveçla përmes faqes së tij zyrtare në facebook ka thënë se janë të vendosur që të zbatojnë maksimalisht ligjin dhe të gjithë shkelësit e keqpërdoruesit të dalin para drejtësisë dhe organeve kompetente. Ai ka thënë se lufta e institucioneve shtetërore ndaj krimit, korrupsionit dhe zhvatësve të pasurisë publike do të vazhdojë edhe në ditët e ardhshme.
“Përgëzoj Policinë e Kosovës, Prokurorinë dhe të gjitha institucionet tjera për realizimin e suksesshëm të aksionit të radhës në luftën e pakompromis ndaj krimit, korrupsionit dhe keqpërdorimit të detyrës zyrtare, në aksionin ‘Brezovica’ pas vlerësimit të raporteve nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Rënda në Prishtinë, Agjencia Kadastrale e Kosovës dhe Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës.
Jemi te vendosur që të zbatojmë maksimalisht ligjin dhe të gjithë shkelësit e keqpërdoruesit të vendosen para drejtësisë dhe organeve kompetente.
Lufta jonë ndaj krimit, korrupsionit dhe zhvatësve të pasurisë publike do të vazhdojë edhe në ditët e ardhshme me të gjitha angazhimet e plota të organizmave tanë institucional në mbrojtjen efektive të së përbashkëtës”.