Po vazhdon implementimi i programit “Edukim për Siguri” në tetë kazerma të FSK-së, me ç’rast instruktorët janë duke ligjëruar para nxënësve temat e parapara sipas planit për këtë vit shkollor, duke përfshirë këtu edhe pjesën praktike.
Kazerma “Adem Jashari” në Prishtinë dhe “Lidhja e Prizrenit” në Prizren, ishin dy kazermat të cilat ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj i ka vizituar për të parë nga afër të rinjtë teksa marrin njohuri bazike rreth sigurisë e mbrojtjes, armatimeve dhe mjeteve shpërthyese.
Në këtë rast, ministri Mehaj tha se njohuritë e përfituara gjatë kësaj periudhe do të jenë mësim jetësor për të gjithë nxënësit, përderisa aftësimi i tyre do t’i shërbej sigurisë së vendit.
Kujtojmë se Qeveria e Republikës së Kosovës në programin e saj Qeverisës 2021-2025 ka paraparë zhvillimin e programit edukativ për të rinjtë e Republikës së Kosovës në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë.
Programi ka për qëllim edukimin dhe trajnimin e të rinjve në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë dhe parashihet që të zhvillohet me nxënës të shkollave të mesme të Republikës së Kosovës.
Ky projekt po realizohet në bashkëpunim të ngushtë ndërmjet Ministrisë së Mbrojtjes, Forcës së Sigurisë, Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit dhe Drejtoritë Komunale të Arsimit, Ministrisë së Punëve të Brendshme, Policisë së Kosovës dhe Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit.








