Edhe një tjetër rast i dhunimit të një të miture ka ndodhur në Kosovë, kësaj here në komunën e Istogut. Për këtë rast Policia e Kosovës e ka arrestuar një të dyshuar dhe ai është në mbajtje për 48 orë deri në marrjen e një vendimi tjetër nga organet e drejtësisë.
Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për rajonin e Pejës, Fadil Gashi.
Ai ka bërë të ditur se rasti ka ndodhur më 09 gusht 2022, ndërsa viktima për shkak të frikës nuk e kishte ka raportuar rastin deri dje në polici.
“Rasti ka ndodhur para një muaji më 09 gusht 2022, viktima nuk e ka raportuar rastin për shkak të frikës. Hetuesit po e trajtojnë rastin dhe të dyshuarit i është caktua masa e ndalimit për 48 orë”, ka thënë zëdhënësi Gashi.
Pyetje për këtë rast janë dërguar edhe në Prokurorinë e Pejës, dhe jemi në pritje të përgjigjes.
Kujtojmë se javë më parë u zbulua rasti i tmerrshëm të dhunimit të një 11-vjeçareje në Prishtinë, e cila dyshohet se u dhunua nga pesë persona në muajin gusht, dhe gjashtë persona të tjerë në muajin qershor.
Numri i rasteve të dhunës seksuale në Kosovë mbetet i lartë dhe kjo vazhdon të jetë shqetësuese.
Vetëm në shtatë mujorin e parë të këtij viti në Policinë e Kosovës janë raportuar 41 raste të dhunimit.
E për gjithë këto raste të abuzimit me vajzat e mitura kritika të mëdha ka marrë sistemi i drejtësisë në Kosovë, pasi prokuroria nuk ka ndërmarrë hapat e nevojshëm për të dyshuarit e dhunimeve, ndërsa gjykata në shumë raste ka dhënë dënime krejt të ulëta për rastet e konfirmuara të dhunimit, shkruan KosovaNews.
Sipas ekspertëve dhe reagimeve të shoqërisë civile neglizhenca e prokurorisë dhe gjyqësorit për këto raste vetëm sa ka ndikuar që abuzuesit të trimërohen dhe të bëjnë edhe më shumë vepra të tilla penale të dhunimit.