Hetuesit nga Njësiti i Hetimeve të Përgjithshme të rajonit të Prishtinës, të mërkurën kanë arrestuar dy persona të dyshuar për veprën penale të Mashtrimit, rast ky që ishte raportuar rreth dy muaj më parë, respektivisht me datë 17 gusht 2022.
Bëhet e ditur se pas një pune hetimore gati dy muajshe, F.C., mashkull 33 vjeç, si dhe L. Rr., femër 21-vjeç, shtetase e Republikës së Kosovës, janë arrestuar dhe janë dërguar në qendrën e mbajtjes për 48 orë.
“Mbështetur në rezultate e para të hetimit, policia ka ngritur dyshimin e bazuar se të njëjtit dyshohet të kenë marrë nga ankuesi shuma të ndryshme parashë për investim në kripto valuta (vlera e përafërt arrin deri në 500.000 euro) duke i premtuar përfitime të mëdha. Për më shumë dyshohet që mashtrimi mund të ketë ndodhur në vazhdimësi për një periudhë të gjatë kohore dhe dyshohet se numri i personave të mashtruar nga personat e dyshuar mund të jetë më i madh se sa numri i raportuar”, thuhet nga Policia.
Tutje Policia e Kosovës kërkon nga qytetarët që mund të kenë qenë viktimë e rasteve të tilla të lajmërohen në stacionin më të afërt policor, ashtu që me informacionet e tyre të kontribuojnë në hetimin që po kryen policia./KosovaNews/