Kryeministri Albin Kurti ka thënë se ngjarjet që ndodhën më 31 korrik në komunat veriore të Kosovës, pati rrezik për përshkallëzim të situatës në konflikt të armatosur. Sipas tij, në mënyrë që më 1 shtator të shmangen tensionet e 31 korrikut, faktorët ndërkombëtarë “duhet ta zmbrapsin Beogradin në qasjen e tij destruktive ndaj Kosovës”.
Sipas tij, barrikadat që u vendosën në rrugët e veriut, në kundërshtim të zbatimit të vendimit për targat dhe dokumentet hyrëse për shtetasit serbë, ishin të pozicionuara në atë mënyrë që të qëllohej me armë mbi automjete dhe njerëz që kalojnë në atë zonë.
Kurti ka thënë se nuk do të diskutojë lidhur me vendimet për targat dhe dokumentet hyrëse në takimin që do ta ketë me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, më 18 gusht në Bruksel.
“Vendimi i Qeverisë së Kosovës nga 29 qershori i këtij viti edhe sa i përket targave ilegale nga koha e Slobodan Millosheviqit për KM, PE, PZ, DJ, UR e GL, por edhe sa i përket dokumentit në vendkalimin kufitar është vendim sovran i Qeverisë së Kosovës. Ne, vendimet e Qeverisë nuk i negociojmë. Por, ajo çfarë duhet të bëjmë në dialog është ta realizojmë marrëveshjen ligjërisht të obligueshme. Për atë është dialogu. Nuk është dialogu për të diskutuar për vendimet e Qeverisë së Kosovës. Ne, si Qeveri e Kosovës, i përgjigjemi Kuvendit të Republikës, qytetarëve të vendit tonë. Ndërkaq, vendimet të cilat ne i kemi marrë, është dashur në fakt të mos ketë nevojë të merren sepse Serbia është dashur shumë më herët të pushojë me prodhimin e targave ilegale nga koha e Millosheviqit”, ka thënë kryeministri.
Në fakt, sipas Kurtit, që nga mesi i janarit i vitit 2018 Serbia nuk është dashur të prodhojë më targa ilegale, sepse prodhimi i targave ilegale po ashtu ka qenë ilegal edhe nga vetë pikëpamja e Serbisë që nga mesi i janarit të vitit 2018.
“Por, Kosova ka qenë tërësisht pasive në atë kohë. Qeveria e Kosovës në janarin e vitit 2018 ka fjetur dhe në vend se të thotë se nga 16 janari i vitit 2018 asnjë targë PR e KM në Kosovë, në atë kohë [njerëzit që ishin në pushtet] mbase kanë qenë shumë të zënë me lobimin që në mars të vitit 2018 ta kalojnë demarkacionin e padrejtë me Malin e Zi”, ka thënë ai.
Kryeministri ka bërë të ditur se ka dyshime për infiltrime nga Rusia pasi, pasi sipas tij, Kremlini po dëshiron ta përdorë Serbinë si platformë për ta destabilizuar Ballkanin dhe, në veçanti, për ta sulmuar Kosovën.
Sa i përket marrëveshjes për Asociacionin për Komunat me shumicë serbe, ai ka thënë se organizimet që bashkojnë komunat me veçanti gjeografike apo ekonomike janë të nevojshme, por jo ato në bazë të etnisë.


