Në 23-vjetorin e themelimit të Policisë së Kosovës Kryeministri Albin Kurti ka vizituar komunat veriore të Republikës së Kosovës.
Nën masa të rrepta sigurie, Kurti bashkë me Ministrin Sveçla vendosen lule në vendin e rënjes në fshatin Zupç të Zubin Potokut të policit Enver Zymberi i cili u vra në krye të detyrës nga strukturat paralele serbe në vitin 2011.
Kryeministri gjithashtu vizitoi edhe bazat e njesive speciale të Policisë së Kosovës në veri, në Jasenovik të Zubin Potokut e cila u ndërtua për më pak se dy javë në afërsi të liqenit të Ujmanit.
Në profilin zyrtar në facebook kryeministri ka shpërndarë edhe një video duke pasqyruar viziten e tij.
“Në 23-vjetorin e themelimit të Policisë së Kosovës, nderuam kujtimin e pjesëtarit të forcave speciale të Policisë së Kosovës, të rënë në krye të detyrës, heroin Enver Zymberi.
Bashkë me Ministrin Sveçla vendosëm lule në vendin e rënies së tij, në rrugën nacionale që lidhë Mitrovicën me Zubin Potokun, në afërsi të fshatit Zubç.
Vizituam edhe bazën e re të Policisë së Kosovës në Jasenovik të Zubin Potokut, si dhe kampin Belvedere në Mitrovicë.” Ka shkruar Kurti