Qytetarët po ndihen të rrezikuar tash e një kohë nga qentë endacakë në Kosovë, sidomos në kryeqytet. Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës ka identifikuar rreth 4 mijë qen të cilëve u janë vendosur mikroçipat apo janë regjistruar. E komuna e Prishtinës është në përfundim të objektit i cili do të shërben për trajtimin e qenve endacakë.
Prania e qenve endacakë nëpër rrugët e Kosovës është bërë shqetësuese. Qytetarët, madje shumë herë janë ndier të rrezikuar por edhe të sulmuar nga ta. Një qytetar i Prishtinës, Driton Limani, thotë se komuna duhet marrë iniciativë për strehim të këtyre qenve.
Kam hasur në shumë situata qen endacakë sidomos në kohë dimri kur ata janë të uritur dhe sulmojnë.
Komuna e Prishtinës duhet jo vetëm të trajtoj por edhe të strehoj qentë endacakë.
E, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës që nga viti i kaluar ka filluar vendosjen e mikroçipave dhe regjistrimin e qenve, qoftë endacak apo ata me pronar.
Ky projekt do të mbulojë të gjitha shpenzimet për ata qytetarë që dëshirojnë të regjistrojnë qenin e tyre deri në fund të këtij vitit.
Kështu bëri të ditur për Radio Kosovën zëdhënësi i Agjencisë, Lamir Thaçi, i cili tha se qytetarët kanë shprehur interesim në këtë drejtim.
“Deri më tani janë rreth 4 mijë qen që janë identifikuar, regjistruar, pra i janë vendosur mikroçipat dhe i janë dhënë dokumentacionet”, tha Thaçi.
Ai tha se ky projekt që është implementuar para shumë vjetësh në vendet e BE-së, ku për qellim kryesor ka ndalimin e shumimit të qenve endacakë si dhe rregullimin e aspektit juridik për qentë me pronarë.
Thaçi tha se nuk dihet se sa është numri i saktë i qenve endacakë nëpër rrugë.
“Në asnjëherë nuk jemi marrë me hulumtime për të përcaktuar numrin e qenve endacakë apo me pronar. Ne do të identifikojmë e regjistrojmë të gjitha kafshët që lajmërohen nga pronari tyre”, u shpreh ai.
Nga zyra për informim në komunën e Prishtinës, përmes një përgjigje me shkrim, kanë bërë të ditur se objekti për trajtimin e qenve endacakë është në përfundim të punimeve.
Dhe, pas përfundimit të tij, bazuar në procedura tjera, do të bëhet funksionalizimi i objektit. Mirëpo kjo qendër nuk do të jetë strehimore.