Dogana e Kosovës ka arritur të konfiskojë një orë dore në vlerë 400 mijë euro. E njëjta nuk ishte deklaruar nga pronari i saj.
Duke folur për format e shpëlarjes së parave në Kosovë, drejtori i Doganës së Kosovës, Agron Llugaliu, tha se ora prej 400 mijë eurosh ishte gjetur në valixhen e një udhëtari në Aeroportin e Prishtinës “Adem Jashari”.
Ai shpjegon se personit të cilit i është gjetur ora ishte selektuar për kontroll dhe më pas i ishte konfiskuar ora në vlerë 400 mijë euro.
“Rishtazi kemi pasë një rast që e kemi zënë, që kalon vlerën 400 mijë euro, një orë. Qëllimi i tyre është që mos t’i kenë paret ‘cash’ por si instrument monetar. E kemi zënë në Aeroportin e Prishtinës, është gjetur në valixhe. Janë selektu për kontroll personat dhe e kemi gjetë”, shpjegoi Llugaliu në “Kallxo Përnime”.
Llugaliu tha se si Doganë ata e kanë përgjegjësi pjesën kufitare sa i përket kontrollit për pastrim të parave.
“Format që i njeh disiplina e pastrimit të parasë, fitimi i parasë në mënyrë të pistë. Para e pistë është edhe ajo që fitohet pa e pagu tatimin. Prej kontrabandës apo tatimit në fitim që nuk e pagujnë”, deklaroi ai.
Sa i përket gjërave të shtrenjtave, si në këtë rast ora, ai tha se jo domosdo i sjellin në Kosovë për t’i shitur por t’i kenë si “instrument monetar”.
Drejtori i Doganës tha se doganierët janë të trajnuar dhe kanë informacione për brendet e shtrenjta dhe përmes Njësisë për Informacionin e Udhëtarëve kanë qasje në të gjitha biletat e udhëtarëve dhe shohin se kush është udhëtar në shkuarje dhe në ardhje. /Kallxo.com/