Me të nisë është shtyrë seanca e shqyrtimit fillestar, në rastin ndaj Jovan e Dragisha Viqentijeviqit, që akuzohen për sulmin terrorist në kanalin e Ibër-Lepencit.
Nebojsha Vllajiq, avokati i Jovan Viqentijeviq, fillimisht kërkoi përjashtimin e prokurorit të rastit, Bekim Kodraliu. Vllajiq i tha gjykatës se ai nuk ka e ka nisur hetimet. Avokati i të akuzuarit për sulm terrorist dhe spiunazh tha se prokurori special ka qenë i anshëm dhe nuk e ka pranuar asnjë kërkesë të mbrojtjes gjatë procesit hetimor dhe theksoi se obligimi i prokurorit të shtetit në bazë të ligjit është që t’i marrë për bazë provat fajësuese dhe shfajësuese. Vllajiq tha se dje ia ka dorëzuar këtë kërkesë zyrtarisht kryeprokurit.
Me propozimin e tij, u pajtua avokati Millosh Deleviq i cili tha se prokurori i shtetit gjatë hetimit është i obliguar të shqyrtojë provat që e rëndojnë për nga përgjegjësia penale dhe kërkoi shtyrje të seancës.
Prokurori Bekim Kodraliu tha se janë pesë arsye që i parasheh kodi i procedurës penale, por asnjë nga këto nuk i ka argumentuar mbrojtja.
Kodraliu tha se sulmi ka qenë profesional, ndërsa hetimi është zhvilluar edhe me partnerët ndërkombëtarë.
Meqë sulmi ka qenë profesional, siç tha ai, nuk ka qenë e mundshme që ta vlerësojnë a janë për t’u trajtuar si dëshmitarë apo si të dyshuar personat që janë propozuar nga mbrojtja për dëshmitarë. Ai tha se i ka analizuar me kujdes propozimet e mbrojtjes gjatë hetimit, por i ka konsideruar jo-relevante.
Kodraliu i dha përgjigje edhe pretendimeve të avokatit Millosh Deleviq që përfaqëson Dragisha Viqentijeviq se i ka bërë kërkesë për t’i marrë të dhënat e antenave telefonike sa i përket lokacionit të telefonit të të Dragisha Viqentijeviq në kohën kur ndodhi sulmi. Prokurori special tha se ai ka qenë me numër telefoni të Serbisë dhe për këtë arsye ka paraqitur kërkesë për bashkëpunim edhe te autoritetet serbe. Ai tha se pavarësisht kërkesave të përsëritura të Prokurorisë Speciale e edhe deklaratave të autoriteteve të Serbisë se do të bashkëpunonin, ata nuk u treguan bashkëpunuese.
Ndërkaq avokatja e të akuzuarit të tretë, Igor Dimoviq, ka thënë se nuk ka vërejtje për prokurorin.
Kryetari i trupit gjykues, Vesel Ismaili, tha se janë të obliguar të presin deri kur kryeprokurori të marrë vendim.
Jovan dhe Dragisha Viqentijeviq akuzohen për veprat penale të “rrezikimit të rendit kushtetues” me shkatërrimin apo dëmtimin e instalimeve dhe pajisjeve publike përmes “kryerjes së veprës terroriste”. Në këtë rast dy vllezërit Viqentijeviq dhe Igor Dimoviq akuzohen për armëmbajtje pa leje.
Jovan Viqentijeviq akuzohet edhe për spiunazh.


