Ministra e Punëve të Brendshme e Kosovës e ka zgjatur afatin për konvertimin e patentë shoferëve nga ata të lëshuar nga institucionet ilegale serbe në patentë shoferë zyrtar të Republikës së Kosovës deri më 23 gusht. Kështu ka njoftuar ministri Xhelala Sveçla në një postin në Facebook, i cili gjithashtu i ka ftuar të gjithë qytetarët serbe që t’i konvertojnë këto dokumente.
Sveçla thotë se vendimi për shtyrje të konvertimit të patentë shoferëve ka ardhur pas kërkesës së madhe të serbëve për konvertim.
“Bazuar në kërkesat e shumta të qytetarëve për aplikim të pajisjes me patentë shoferë të Republikës së Kosovës, ku vetëm dje kemi pasur 273 sosh, si dhe kërkesën për zgjatje të afatit për aplikim i cili sipas vendimit tonë përfundon nesër, kam marrë në konsideratë ato me ç’rast afati për konvertim do të zgjatet deri me 23 gusht 2024”, ka thënë Sveçla.
Sipas tij, 5588 qytetarë nga radhët e komunitetit serb kanë aplikuar për konvertimin e patentë shoferëve nga ata të lëshuar nga institucionet ilegale serbe në patentë shoferë zyrtar të Republikës së Kosovës.
Ky proces i cili është mundësuar në të gjitha qendrat e Agjencisë së Regjistrimit Civil në Republikën e Kosovës ka vijuar pa asnjë incident të vetëm, ka thënë Sveçla.
“Pas kësaj date, 23 gusht, për të gjithë ata që nuk konvertojnë patentë shoferët, do të veprohet sipas legjislacionit përkatës në fuqi”, ka thënë Sveçla duke i falënderuar të gjithë qytetarët e komunitetit serb që kanë kryer obligimin e tyre për konvertim të patentë shoferit.
Po ashti ministri i Punëve të Brendshme i fton të gjithë ata që nuk e kanë kryer këtë proces që të respektojnë afatet në fuqi.