Pandemia nuk i fshehu dot shifrat e të infektuarve me HIV-AIDS. Shenjat klinike, por edhe vetëkontrollet për shkak të sjelljeve të rrezikshme zbuluan se rastet e reja vijojnë të rriten nga viti në vit.
Profesori Arjan Harxhi tha se mbi 70 për qind janë meshkuj ata që infektohen, ndërsa më shumë se gjysma vijnë në nivele të avancuara kur mund të kenë infektuar edhe shumë të tjerë.
“Rritja është konstante dhe e qëndrueshme. Veçori epidemiologjikë është se trendi i infektimit të meshkujve është në rritje. Gjithmonë ka qenë në raportin 2/1, ndërsa aktualisht është ¾ janë meshkuj dhe ¼ janë femra“.
Ndryshe me sëmundjet e tjera, pandemia nuk i mbajti larg sistemit pacientët me HIV.
“Është veçori e sëmundjes. Po t’i shohim shifrat, shumica janë më shenja klinike e si të tilla sistemi ka funksionuar, ka vënë diagonzë, po ka qenë e vonuar”, ka thënë ai.
Ai ka shpjeguar edhe shkaqet e rritjes së numrit të rasteve.
“Shkaqet e rritjes janë komplekse. Akoma kemi probleme me testimin në Shqipëri për HIV, qoftë në drejtim të aksesit ndaj testit në nivele të ndryshme të tij dhe akoma më shumë për pjesë të ndryshme të popullatës që janë të vështira për t’u testuar. Ndoshta edhe aplikimi jo siç duhet i protokolleve në lidhje me testimin nga ana e personelit shëndetësor është një shkak më vete“, ka thënë ai.
Kombet e bashkuara kanë vendosur që në vitin 2030 sëmundja e HIV-AIDS të shkojë drejt zhdukjes, por për mjekët ky mbetet një objektiv shumë agresiv duke parë situatën.
Harxhi paralajmëron rishikimin e strategjisë edhe në lidhje me ndërhyrjet e reja siç është parandalimi para ekspozimit që është terapia që i jepet personave në risk me antivirale për të mos u infektuar. /rtsh/