Ministria e Ekonomisë ka ndërprerë sot veprimtarinë ilegale të strukturave paralele në fabrikën e ujit në Zubin Potok, me kërkesë të Njësisë për Monitorimin e Ndërmarrjeve Publike.
Lajmin e ka bërë të ditur ministrja në detyrë, Artane Rizvanolli, përmes një postimi në rrjete sociale.
Sipas Rizvanollit, kjo fabrikë përbën një aset kritik për furnizimin me ujë të mijëra qytetarëve në komunat veriore të Kosovës, dhe marrja e saj nën kontroll është çështje e sigurisë, shëndetit publik dhe shtrirjes së kontrollit institucional në gjithë territorin e vendit.

“Furnizimi me ujë nuk mund të jetë mjet presioni politik apo kontrolli nga jashtë. Është një e drejtë bazike e qytetarëve tanë,” theksoi Rizvanolli, duke shtuar se tashmë KRU Mitrovica do të kujdeset që sistemi të funksionojë sipas standardeve ligjore dhe teknike të Republikës së Kosovës.
Ministrja ka falënderuar Policinë e Kosovës për mbështetjen në këtë operacion dhe ka shprehur mirënjohje për KRU Mitrovicën për gatishmërinë që t’u shërbejë të gjithë qytetarëve pa dallim.
