Partitë shqiptare në Graçanicë janë bërë bashkë për garën e zgjedhjeve lokale në Kosovë. Lëvizja Vetëvendosje, Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës janë pajtuar për një kandidat për kryetar të kësaj komune si dhe për një listë të përbashkët për kuvend komunal.
Leutrim Ajeti është kandidati unifikues që garon me listën “Aleanca Shqiptare”. Ai përfaqëson një front të bashkuar që synon përfaqësim të drejtë dhe gjithëpërfshirës në njërën nga dhjetë komunat e njohura me shumicë serbe.
Regjistrimi i fundit i popullsisë nxori shqiptarët si komunitetin më të madh në Graçanicën e banuar nga gjithsej 18 mijë e 500 banorë. Sipas ndarjes etnike, në këtë komunë jetojnë 8.623 shqiptarë e 8.560 serbë, ose 63 shqiptarë më shumë sesa serbë.
Me një platformë të qartë për qeverisje të ndershme dhe mbështetje për të gjithë qytetarët, pa dallim etnie apo përkatësie politike, Ajeti shpreh bindjen e tij se më 12 tetor do të arrijë ta fitojë këtë garë.
Në një intervistë për KosovaPress, ai thekson se, nëse i jepet besimi për të udhëhequr, do t’u shërbejë me përkushtim të gjitha komuniteteve që jetojnë në Graçanicë.
“Unë besoj që kryetari, në këtë rast unë, do të jem i njëjtë për të gjithë nuk do të bëjë dallime si për serbët, si për romët, ashkalinj e të gjitha komunitetet që jetojnë në Graçanicë do të jemi i barabartë. Pra, emri im është Leutrim Ajeti unë jam shqiptar po do të jem i njëjtë për të gjithë dhe nuk do të bëj dallime për askënd. Unë besoj fuqishëm që të dielën, më 12 tetor do ta marrim besimin nga qytetarët dhe do ta shpallim fitoren. Jam i bindur që do të fitojmë me të parën, por nëse ka balotazh jam i përgatitur edhe për balotazh“, theksoi ai.
Sipas tij, gjithnjë e më shumë qytetarë serbë në Graçanicë po shprehin pakënaqësi me gjendjen aktuale dhe po kërkojnë ndryshim real në udhëheqje.
“Unë besoj që edhe ata [serbët] janë duke kërkuar ndryshimin një pjesë e madhe e tyre dhe besoj që të dielën më 12 tetor edhe ata do të jenë pro ndryshimit dhe do të votojnë listën tonë në këtë rast mua si kandidat për kryetar”, deklaroi kandidati për kryetar të Graçanicës.
Leutrim Ajeti premtoi formimin e një kabineti multietnik dhe përfshirjen aktive të të gjitha komuniteteve në këtë komunë.
Ashtu siç është shumë etnike [komuna] do të jetë edhe kabineti im shumë etnik, do të ketë një përfaqësim shumë etnik nga të gjitha komunitete. Nuk do të bëj dallime as në ekzekutiv dhe as në kabinet, do të kem përfaqësim nga të gjitha komunitetet”, deklaroi Ajeti.
Përmirësimi i mjedisit, zhvillimi i transportit publik dhe investimet në infrastrukturë janë ndër prioritetet kryesore që Leutrim Ajeti synon t’i realizojë nëse merr drejtimin e Komunës së Graçanicës.
“Nënkalimi në qendër të Graçanicës, çështja e ambientit, transporti publik, infrastruktura në çdo pjesë të komunës së Graçanicës. Do ta themeloja një grup punues në lidhje me ambientim sepse Graçanica ka telashe të mëdha me ambientin dhe shqetësime të mëdha, do të themeloja një grup punues ku do të përfshiheshin gjithë akterët në komunë të Graçanicës, shoqëria civile dhe nga Ministria e Ambientit, dhe do ta krijonim një strategji të shpejt për ta evituar problemin e ambientit që janë mbetjet në Kishnicë”, deklaroi ai.
Më 12 tetor, qytetarët e Kosovës do të votojnë për të zgjedhur udhëheqjen e tyre komunale. Fushata zgjedhore për zgjedhjet lokale ka nis më 13 shtator.
“


