Në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, në kuadër të një misioni humanitar nga organizata ndërkombëtare Muntada Aid, me pjesëmarrjen e një ekipi të specializuar të mjekëve nga Turqia, po trajtohen 12 fëmijë me probleme të lindura në zemër.
Në bashkëpunim të ngushtë me Klinikën e Pediatrisë, Klinikën e Kirurgjisë së Fëmijëve, Klinikën e Anestezionit dhe Klinikën e Neonatologjisë, u realizua me sukses ndërhyrja e parë e këtij lloji në Ballkan, trajtimi kirurgjikal i një të porsalinduri me atresion të arteries pulmonare, një gjendje e rëndë kardiake që rrezikon jetën.
“Falë përkushtimit të profesionistëve tanë dhe bashkëpunimit të frytshëm me ekipin turk, ky intervenim i ndërlikuar përfundoi me sukses dhe i dha foshnjës shansin për një jetë normale”, thuhet në njoftimin e bërë nga QKUK.
Tutje, thuhet se ky operacion është pjesë e një misioni humanitar që ka për synim ofrimin e trajtimit për 12 fëmijë me sëmundje të rënda kardiake, të cilët aktualisht po operohen në QKUK, nga kardiokirurgë dhe specialistë nga Turqia.