Dy persona (burrë e gru) kanë marrë lëndime trupore të martën si pasojë e shpërthimit të sistemit të ngrohjes me gaz në një shtëpi të një fshati në Lipjan.
Mirëpo, nga shpërthimi lëndime më të mëdha mori gruaja, gjendja e së cilës është më e rënduar.
Kështu tha në një prononcim mjeku kujdestar nga Kirurgjia Plastike në QKUK, Korab Berisha.
Ai tha se pacientja ka pësuar djegie në 85 për qind të sipërfaqes trupore, ndërsa e burrit është mesatarisht e rëndë, pasi ka 25 për qind të sipërfaqes së djegur.
“Gjendja e pacientes (gruas) është e rëndë shumë, 85 për qind të sipërfaqes trupore, ndërsa e burrit është mesatarisht e rëndë me 25 për qind të sipërfaqes së djegur. Të dy pacientët janë në mjekimin intensiv”, tha Berisha.
Ndërkaq, në raportin 24 orësh të Policisë së Kosovës, bëhet e ditur se rasti ka ndodhur të martën rreth orës 07:40, në Lipjan.
Tutje thuhet se të lënduarit janë dërguar për tretman mjekësor.
“Raportohet se në rrethana deri më tani të pa njohura në shtëpinë e viktimës në një fshat në Lipjan kishte shpërthyer sistemi me gaz i ngrohjes. Si pasoj e shpërthimit lëndime trupore kanë pësuar dy viktimat kosovarë (bashkëshort), të cilët janë dërguar për tretman mjekësor”, thuhet në raport.
Gjithashtu në raport bëhet e ditur se njësitë relevante policore dhe prokurori i shtetit kanë dal në vendin e ngjarjes.
“Një i dyshuar mashkull kosovar është shoqëruar në polici dhe i njëjti pas intervistimit me rekomandim të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt. Rasti vazhdon të hetohet nga njësitet kompetente”, thuhet në raport.


