Shoqata e Gazetarëve Sportivë të Kosovës (SHGSK), ka katër muaj që funksionon pa sekretar të përgjithshëm. Nga posti i sekretarit në korrik të këtij viti ka dhënë dorëheqje Artan Muhaxhiri. Për largimin e Muhaxhirit nuk ka njoftuar SHGSK-ja.
Ai dorëheqjen e ka paraqitur më 1 korrik nëpërmjet emailit, të cilin e posedon KOHA.
Muhaxhiri e kishte njoftuar SHGSK-në për dorëheqjen e tij të parevokueshme. Muhaxhiri e ka mbajtur postin e sekretarit të përgjithshëm të SHGSK-së, prej datës 27 shtator të vitit 2019. Në emailin e tij ka thënë se ka dhënë dorëheqje për shkak të angazhimeve personale dhe pamundësisë që të japë kontribut të mëtejshëm për SHGSK-në.
E dorëheqjen nga SHGSK-ja, Muhaxhiri e ka konfirmuar të premten për kohën.
Në pyetjen se a ka dhënë dorëheqje, Muhaxhiri është përgjigjur: “Shumë e saktë, nga korriku 2022 (saktë më 01.07.) unë kam ofruar dorëheqje nga funksioni që kam mbajtur në SHGSK.
Dorëheqja është veprim i ndërmarrë kryekëput me angazhimet e mia të shtuara në profesion dhe në pamundësi për të dhënë më të mirën në SHGSK. E njëjta u është dërguar anëtarëve të bordit dhe kryetarit, ashtu si e kërkojnë procedurat”.
Megjithatë, përkundër dorëheqjes së pranuar nga Muhaxhiri, SHGSK-ja nuk e ka bërë publike një gjë të tillë.
Madje, ka funksionuar tashmë katër muaj pa sekretarin e përgjithshëm.
Postimin e fundit në Facebook, SHGSK-ja e ka bërë më datën 1 tetor, ku ka njoftuar për pjesëmarrje në punimet e Kongresit të Asociacionit të Gazetarëve Sportivë të Botës (AIPS).
“Shoqata e Gazetarëve Sportivë të Kosovës, e prirë nga presidenti Edmond Thaçi dhe anëtari i Bordit Ejup Llumnica, do të marrin pjesë në punimet e Kongresit të 84-të, të Asociacionit të Gazetarëve Sportivë të Botës (AIPS). Ky kongres do të mbahet në Romë të Italisë, nga data 2-6 tetor 2022”, shkruhej në njoftimin e SHGSK-së.
Një grup i gazetarëve sportivë ka kohë që i ka bërë thirrje Bordit të SHGSK-së, ta caktojë datën e mbajtjes së Kuvendit të Punës. Por, as kjo nuk është marrë parasysh deri më tani nga Shoqata.


