Policia e Kosovës ka bërë të ditur se janë arrestuar dy mjekë në komunën e Gjilanit, pasi të njëjtit sipas policisë, dyshohet se kanë kërkuar ryshfet për të kryer ndërhyrje te një pacient.
Për arrestimin e mbrëmshëm të dy mjekëve në Spitalin e Përgjithshëm në Gjilan për marrje ryshfeti, ka folur për media edhe drejtori i këtij institucioni, Arsim Emini.
Ai tha se mjekët janë arrestuar sa ishin në ndërrimin e kujdestarisë.
“Mbrëmë rreth orës 20 jam njoftuar prej palës, e cila ka kërkuar shërbim për motrën në spital, që i kishte denoncuar dy mjekët, informatë jozyrtare kjo. Pastaj nga Krimet Ekonomike jam njoftuar se janë arrestuar dy mjekë, njëri kirurg e tjetri anesteziolog, për marrje ryshfeti, pasi kanë qenë në ndërrimin e kujdestarisë, më kanë njoftuar në mënyrë që pacientët të mos mbesin pa shërbime. Pastaj rreth orës 23 jam njoftuar se të dy mjekët janë ndaluar për 48 orë”, ka thënë Emini.
Sipas Policisë, dyshohet se anesteziologu kishte kërkuar 100 euro nga viktima për të kryer një ndërhyrje, ndërsa kirurgu dyshohet se mori 330 euro, por kërkoi edhe 200 shtesë.
Po ashtu theksohet se hetuesit arritën të siguronin dëshmi gjatë dorëzimit të parave te njëri i dyshuar.
Të arrestuar janë ndaluar për 48 orë deri në marrjen e një vendimi tjetër nga organet e drejtësisë.
“Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK), konkretisht Njësia Rajonale Gjilan, në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore të Gjilanit, pas kryerjes së veprimeve operative/hetimore, kanë arritur të sigurojnë dyshime të arsyeshme se i dyshuari me profesion doktor/anesteziolog, dyshohet se kishte kërkuar ryshfet në vlerë njëqind euro nga viktima për të kryer një ndërhyrje, po ashtu dyshime të arsyeshme janë siguruar edhe për të dyshuarin e dytë me profesion doktor/kirurg, se lidhur me ndërhyrjen kishte marr treqind e tridhjetë euro, ndërsa kishte kërkuar edhe dyqind euro shtesë. Pasi që është siguruar urdhri verbal nga gjyqtari i procedurës paraprake, për stimulim të veprës penale (Marrja e ryshfetit), hetuesit kanë arritur të sigurojnë dëshmi gjatë dorëzimit të parave tek njëri i dyshuar. Nga hetuesit e Njësisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, janë arrestuar dhe shoqëruar për intervistim personat e dyshuar, ku me vendim të prokurorit të shtetit është lëshuar aktvendim për ndalim në afat prej 48 orësh”, thuhet nga Policia e Kosovës.