Agjencia kryesore amerikane për sigurinë e transportit, ka nisur hetime ndaj Tesla-s pas pamjeve që tregojnë Robotaksit e kompanisë duke tejkaluar shpejtësinë dhe duke dalë nga korsia e duhur.
Tesla lansoi shërbimin në Austin, Teksas, me rreth 10 makina të pajisura me “drejtues sigurie” në sediljen e pasagjerit.
Elon Musk e përshkroi nisjen si një sukses të madh, por videot e influencuesve pro-Tesla kanë nxjerrë në pah probleme në përputhshmërinë me rregullat e trafikut.
Në një video, një Robotaksi gaboi në kthesë dhe u fut në korsinë e kundërt, ndërsa në një tjetër makina po ecte me shpejtësi mbi limitin.
NHTSA tha se është në kontakt me Tesla-n për të mbledhur informacione të mëtejshme dhe do të vazhdojë të zbatojë ligjin në lidhje me sigurinë rrugore.
Hetimet vijnë ndërsa Tesla po përballet me rënie të shitjeve dhe fitimeve, ndërsa Musk vë bast të madh tek e ardhmja e makinave autonome.
Gjithashtu, agjencia po vazhdon një hetim të mëparshëm për mënyrën se si funksionon funksioni “Full-Self Driving” në kushte të vështira të dukshmërisë.