Në diskutimin e organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë me temën “Shfrytëzimi i LNG-së Amerikane për Sigurinë Energjetike dhe Përafrimin Strategjik të Kosovës”, Zëvendësndihmës Sekretari i Departamentit të Energjisë së Shteteve të Bashkuara për Evropën, Euroazinë, Afrikën dhe Lindjen e Mesme, Dan Byers, riafirmoi mbështetjen e SHBA-së për përpjekjet e Kosovës në diversifikimin e burimeve të energjisë dhe forcimin e sigurisë energjetike.
Duke folur në këtë ngjarje, Byers theksoi se “siguria energjetike është siguri kombëtare”, duke nënvizuar se qëndrueshmëria e një sistemi energjetik varet nga diversifikimi i burimeve dhe alternativave të furnizimit.
Ai vlerësoi rolin e thëngjillit si bazë e sistemit energjetik të Kosovës, por shtoi se gazi i lëngshëm natyror (LNG) mund të bëhet një komponent i rëndësishëm i miksit energjetik të vendit në të ardhmen, veçanërisht në kushtet e rritjes së kërkesës për energji.
Byers theksoi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë prodhuesi më i madh në botë i gazit natyror dhe se kapacitetet amerikane të eksportit të LNG-së pritet të rriten ndjeshëm gjatë viteve të ardhshme.
“SHBA-të tashmë furnizojnë rreth 60 për qind të importeve evropiane të LNG-së dhe do të vazhdojnë të luajnë një rol kyç në mbështetjen e aleatëve evropianë përmes furnizimeve të sigurta dhe të diversifikuara me energji”, tha ai.
Sipas Byers, disponueshmëria e furnizimit nuk është e mjaftueshme pa zhvillimin e infrastrukturës përkatëse. Ai nënvizoi rëndësinë e investimeve në ndërlidhje rajonale dhe korridore energjetike që mund t’i mundësojnë Kosovës qasje në LNG.
Në këtë kontekst, ai përmendi përkushtimin e Departamentit të Energjisë së SHBA-së për të mbështetur projekte infrastrukturore dhe iniciativa rajonale që synojnë forcimin e sigurisë energjetike në Evropën Juglindore.
Duke iu referuar rekomandimeve të Odës Ekonomike Amerikane, Byers theksoi nevojën për planifikim afatgjatë, studime të fizibilitetit, investime strategjike dhe diplomaci energjetike, në mënyrë që Kosova të jetë e përgatitur të përfitojë nga mundësitë që ofron LNG-ja.
Në përmbyllje, ai riafirmoi gatishmërinë e Departamentit të Energjisë së SHBA-së për të mbështetur Kosovën përmes ekspertizës teknike, ngritjes së kapaciteteve dhe bashkëpunimit strategjik.
“Fuqizimi i sigurisë energjetike të aleatëve dhe partnerëve mbetet një prioritet i rëndësishëm për Shtetet e Bashkuara”, theksoi Byers.



