Reagimet kanë qenë të shumta pas arritjes së marrëveshjes për një armëpushim katërditor në Gaza mes Izraelit dhe Hamasit.
Sekretari amerikan i shtetit, Antony Blinken, ka thënë se marrëveshja e pengjeve ishte “rezultat i diplomacisë së palodhur dhe përpjekjeve të shumta në të gjithë departamentin dhe Qeverinë më të gjerë të SHBA-së”.
“Derisa kjo marrëveshje të shënojë përparim të rëndësishëm, ne nuk do të ndalemi për sa kohë që Hamasi vazhdon të mbajë pengje në Gazë”, ka shtuar Blinken.
E Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka thënë se BE-ja do të kërkojë të përdorë armëpushimin në Gaza për të ofruar më shumë ndihma humanitare në territor.
Ndërsa Sekretari i Jashtëm i Mbretërisë së Bashkuar, David Cameron, u bëri thirrje të dyja palëve që ta zbatojnë marrëveshjen në tërësi.
“Kjo pauzë ofron një mundësi të rëndësishme për të siguruar që sasi shumë më të mëdha të ushqimit, karburantit dhe ndihmave të tjera të mund të arrijnë në Gazë në baza të qëndrueshme”, ka thënë Cameron.
Ndërsa Presidenti i Francës Emmanuel Macron ka thënë se e mirëpret marrëveshjen e pengjeve Izrael-Hamas dhe ka shtuar se Franca “po punon për të liruar të gjitha pengjet”.
“Unë e mirëpres njoftimin e një marrëveshjeje për lirimin e pengjeve dhe një armëpushimi humanitar. Ne po punojmë pa u lodhur për lirimin e të gjitha pengjeve. Armëpushimi humanitar i shpallur duhet të lejojë futjen e ndihmës dhe shpëtimin e civilëve në Gazë”, ka shkruar Macron në një postim në rrjetet sociale.
Sipas marrëveshjes, 50 pengje të mbajtura nga grupi militant Hamas në Gaza do të lirohen, ndërsa në këmbim Izraeli do t’i lirojë fillimisht 150 të burgosur palestinezë që gjenden në burgjet e Izraelit.


