Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë ka njoftuar për një fluturim të suksesshëm deportimi që është realizuar këtë javë, si pjesë e përkushtimit të administratës amerikane për mbrojtjen e kufijve dhe luftimin e emigrimit ilegal.
Sipas njoftimit zyrtar, deportimi u realizua falë bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet Agjencisë për Imigrim dhe Dogana (ICE), Shërbimit të Sigurisë Diplomatike (DSS) dhe Policisë së Kosovës.
“Mbrojtja e kufijve të Amerikës është një prioritet i administratës Trump. Fluturimi i suksesshëm i deportimit këtë javë do ta mbajë vendin tonë të sigurt dhe do të dekurajojë emigrimin ilegal në të ardhmen. Falë partneritetit të fortë mes ICE, Shërbimit të Sigurisë Diplomatike dhe Policisë së Kosovës, po zbatojmë ligjet tona dhe po e mbajmë kufirin të sigurt”, thuhet në deklaratën e Ambasadës amerikane, e cila është shoqëruar me hashtagun #SecuringUSBorders.
Ky veprim tregon edhe një herë rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar në luftën kundër migracionit të paligjshëm dhe në respektimin e ligjeve të emigracionit të SHBA-së.