Drejtori i Institutit EPIK, Demush Shasha, ka reaguar lidhur transmetimin se presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka thënë është pezulluar përkohësisht liberalizimi i vizave për Kosovën.
Me anë të një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Shasha ka thënë se ka zero mundësi që Franca në mënyrë unilaterale të pezullojë liberalizimin e vizave.
Kjo sepse siç thekson Shasha, është ligjërisht e pamundur.
“Sot këshilla kryesore diplomatike për Kosovën është: buzëqesh dhe mos thuaj asgjë. Kosova ka kryer të gjitha detyrat e veta të shtëpisë dhe mund të rri komod për liberalizimin e vizave. Ne veç jena tu e prit të buzëqeshur 1 janarin 2024. Eh tash nëse Presidenti Macron ka një qëndrim të ri lidhur me liberalizimin e vizave është mirë të sqarohet. Sot ai vetëm ka konfuzuar me deklaratën e tij. Ka zero mundësi që Franca në mënyre unilaterale dhe krye në vetë të pezulloj liberalizimin e vizave. Kjo është ligjërisht e pamundshme”, shkroi ai.
Shasha thërret që të mos merret seriozisht një gjë e tillë derisa Komisioni Evropian të deklarohet për të.
“Kam thënë edhe më herët. Për mua rregulli i artë sa i përket pezullimit të liberalizimit të vizave është ky: mos merrni seriozisht asgjë deri sa nuk dëgjoni Komisionin Evropian duke folur për të. Deri atëherë çdo gjë që dëgjoni është pjesë normale e lojërave dhe negociatave politike”, shtoi ai.
Ndërkohë pas transmetimit LIVE dhe përkthimit nga Kryeministria e Shqipërisë që i bëhej fjalimit të presidentit të Francës, Emmanuel Macron, u tha se ky shtet ka pezulluar vizat për Kosovën, por tashmë ka dalë edhe versioni tjetër që dallon nga ai i përkthyer.
Në fakt presidenti Macron, tha në Tiranë më 17 tetor se Franca bëri një “gjest besimi sa i përket çështjes së vizave për Kosovën”. Pra foli në kontekstin kur ato janë hequr.
“Dua ta them një gjë me shumë qartësi. Ne kemi bërë një gjest besimi për çështjen e vizave. Sa i përket Francës, ato [vizat] janë hequr sepse ne respektojmë fjalën e dhënë. E sot, fjala nuk po mbahet. Pres një angazhim real nga këto dy autoritete [Kosova dhe Serbia] që të ecin përpara në javët e ardhshme. Ky është vetë kushti për paqe në gjithë rajonin”, deklaroi Macron.
DETAJE në linkun më poshtë:



