Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara (OKB) ka adoptuar një rezolutë të re kundër Rusisë, dhe Serbia sërish nuk ishte në “anën e duhur të historisë”.
Gati 50 shtete bashkë-sponsorizuan rezolutën që krijon një mekanizëm ndërkombëtar për kompensimin e dëmeve, humbjeve dhe lëndimeve të luftës e që po ashtu bën edhe dokumentimin e provave dhe të pretendimeve.
94 shtete votuan PËR, 14 shtete votuan KUNDËR dhe 73 të tjera abstenuan.
Sipas burimeve të gazetës serbe Nova, Serbia ka abstenuar por kësaj here ka pasur një arsyetim goxha qesharak.
Serbia me argumentin “Albin Kurti”.
“Serbia anstenoi në OKB dhe nuk votoi kundër Rusisë: Argumenti është “Kurti”” – titullohej artikulli në fjalë.
Burimet brenda diplomacisë serbe kanë thënë që “Serbia nuk ka mundur të votojë për atë propozim sepse do të krijonte një precedent të madh, duke pasur parasysh që Kurti (kryeministër i Kosovës) insiston në çështjen e dëmshpërblimeve të luftës,”
Megjithatë, një lajm i tillë mund të konsiderohet si i mirë për Kosovën pasi pritet të shtojë më tej presionin ndaj Serbisë.
Kremlini
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, është shprehur se Rusia qëndron “kategorikisht kundër” këtij propozimi, duke shtuar se Moska do të bënte “gjithçka që ishte e mundur” që të ndalonte Perëndimin së kapuri rezervat e saj të ngrira ndërkombëtare.
Ukraina
Në anën tjetër, ambasadori i Ukrainës në OKB, Sergiy Kyslytsya, insistoi që Rusia duhej të mbahej përgjegjëse për shkeljet e saj të ligjit ndërkombëtar.
“Shtatëdhjetë e katër vjet më parë, Bashkimi Evropian kërkoi dhe mori reparacionet, duke e quajtur atë si të drejtë morale të një shteti që ka vuajtur luftë e okupim,” – tha ai.
“Sot, Rusia, që pretendon të jetë pasuese e një tiranie të shekullit 20, po bën gjithçka që po mundet për të shmangur pagimin e çmimit për luftën dhe okupimin e saj, duke provuar t’i ikin përgjegjësisë për krimet që kanë kryer.” – vazhdoi Kyslytsya.
Votat tjera?
Shqipëria fatmirësisht ka votuar PËR këtë rezolutë. Ashtu siç kanë votuar edhe fqinjtë tjerë si Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Bosnja dhe Hercegovina dhe Kroacia.
Për të njëjtën rezolutë kanë votuar edhe vende të tjera Perëndimore si Italia, Franca, Belgjika, Gjermania, Franca, Spanja, Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuara etj.
Por, megjithatë numri i shteteve që abstenuan ishte i lartë. Mes tyre përveç Serbisë ishin edhe Izraeli, Arabia Saudite, Afrika Jugore e Kazakistani.
Në anën tjetër, kundër ishin vetëm 14 shtete, përfshirë Kinën, Kubën e Rusinë.


