Ish-deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje është liruar pas ndalimit të tij nga autoritetet serbe në Merdarë.
MPJD kërkon reagim të menjëhershëm të bashkësisë ndërkombëtare ndaj veprimeve të përsëritura represive të Serbisë ndaj qytetarëve të Kosovës.
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka njoftuar se ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Gramos Agusholli, i cili ishte ndaluar sot në pikën kufitare në Merdarë nga autoritetet serbe, është liruar dhe ka vazhduar rrugën e tij drejt Sllovenisë.
“MPJD do të vazhdojë të përcjellë me vëmendje çdo situatë që cenon të drejtat e qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe i bën thirrje Bashkësisë Ndërkombëtare të reagojë ndaj Serbisë për ndalimin e praktikave të tilla represive, të cilat bien ndesh me parimet themelore të së drejtës ndërkombëtare dhe me konventat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut”, thuhet në njoftimin e fundit për shtyp të MPJD-së.
Ndryshe, në njoftimin për ndalimin e ish-deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje më herët gjatë ditës, diplomacia kosovare kishte kërkuar reagim urgjent nga ambasadorët e QUINT-it – Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Mbretëria e Bashkuar, Gjermania, Franca dhe Italia – si dhe nga Zyra e Bashkimit Evropian në Prishtinë dhe Beograd.
Edhe në të kaluarën janë regjistruar raste të ngjashme, ku zyrtarë, policë e kryesisht ish-pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë ndaluar nga xhandarmëria serbe gjatë kalimeve kufitare ose udhëtimeve të tyre.