Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Driton Selmanaj e ka kritikuar kryeministrin Albin Kurti për mungesë transparence sa i përket procesit të dialogut me Serbinë.
Në deklarimet jashtë rendit të ditës, në seancën e Kuvendit që po mbahet të enjten, Selmanaj ka pyetur deputetët nëse e dinë agjendën e takimit që Kurti pritet ta zhvillojë me presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiq.
“Sot ndodh një takim në Bruksel më thoni a e dini ju agjendën se për çka takohen. E kujtoj se ky Kuvend ka miratuar tri rezoluta që e obligojnë Qeverinë që të raportojë në Kuvend para e pas çdo takimi. Kjo Qeveri e ka shndërruar Kuvendin në spektator. Ky takim a po bëhet me koordinim a pa koordinim. Pa koordinim me forcat politike në Kuvendin e Kosovës po, por me koordinim me kë?”, ka deklaruar Selmanaj.


