Ministri për Evropë dhe Punë të Jashtme të Shqipërisë, Igli Hasani, ka folur për bashkëpunimet rajonale të arritura deri më tani, ndërsa përsëriti ambicien e Shqipërisë për t’u integruar në BE brenda kësaj dekade.
Gjatë fjalës hyrëse në Samit, Hasani tha se: “Synimi ynë është ambicioz, por edhe i arritshëm: për të çelur kapitujt deri në fund të këtij viti dhe për të përmbyllur negociatat deri në vitin 2027. Po punojmë me vendosmëri për ta bërë Shqipërinë gati për anëtarësimin e plotë në BE përpara fundit të kësaj dekade. Ky është një objektiv rajonal. Suksesi i fqinjëve tanë është suksesi ynë.”
Përplasja ushtarake në Lindjen e Mesme ishte gjithashtu pjesë e fokusit të tij, teksa shefi i diplomacisë shqiptare bëri të qartë se Tirana zyrtare mbështet të drejtën e Izraelit për t’u mbrojtur, ndërsa i bëri thirrje Iranit të ndalojë aktivitetet bërthamore.
Sinkron: “Shqipëria rikonfirmon të drejtën e Izraelit për të ruajtur sigurinë e vet dhe për të mbrojtur qytetarët e vet nga kërcënimet. Në të njëjtën kohë, i bëjmë thirrje Iranit që të ndalë aktivitetet e tij bërthamore dhe të raketave balistike dhe të veprojë në përputhje me detyrimet e veta në kuadër të të drejtës ndërkombëtare, përfshirë edhe Traktatin për Mospërhapjen e Armëve Bërthamore.”
Si platformë e iniciuar nga vetë vendet e rajonit, SEECP mbetet një mekanizëm i rëndësishëm për forcimin e bashkëpunimit, zgjidhjen e sfidave të përbashkëta dhe përgatitjen për integrim të plotë në strukturat evropiane dhe euroatlantike. /A2 televizion/