Sami Kurteshi nga Lëvizja Vetëvendosje thotë se Prokuroria Speciale e ka ftuar për intervistim, që sipas tij ka të bëjë me deklaratat që ai kishte bërë në lidhje me rastin e Astrit Deharit.
“Më 16 gusht 2024, me autorizimin e prokurorit special Bekim Kodraliu, kam pranuar thirrje nga Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda për marrje në pyetje më 20 gusht 2024, në lidhje me deklaratat e bëra në konferencën për media me rastin e pensionimit të Afrim Shefkiut, i ngarkuar me rastin e Astrit Deharit, të mbajtur para Prokurorisë Speciale”, ka shkruar ai në profilin e tij në Facebook.
Sipas Kurteshit, ftesa e prokurorisë në thelb nxjerr dy pyetje lidhur me rastin e Astrit Deharit.
“Pas marrjes në pyetje të Ministres së Drejtësisë Albulena Haxhiu nga Prokuroria Speciale si dëshmitare për rastin, pas deklarimit publik në rrjetet sociale, në lidhje me rastin A. Dehari, po për deklarimin publik në konferencë për media për rastin Dehari, më thirr për marrje në pyetje edhe mua. Kjo sjellje e prokurorisë në thelb nxjerr dy pyetje thelbore: A po ri-fillon hetimi i njëmendtë i rastit A. Dehari nga Prokuroria Speciale? Apo po bëhet përpjekje e njëmendtë për humbje të gjurmëve të vrasjes së Astritit?”, shkruan ai.
Kurteshi në reagimin e tij ka shtuar se drejtësia për Astrit Deharin do të arrijë, duke shtuar se “Koha vonon, por e drejta nuk shuhet! E drejta domosdo del në shesh”.