Zv/ministri i Financave, Hysni Mehani, ka bërë të ditur se ka paditur për shpifje kryetarin e OVL-UÇK-së, Hysni Gucatin.
Mehani, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se me padinë synon që përmes një vendimi gjyqësor Gucati të marrë përgjegjësi për deklaratat që ai i konsideron shpifëse.
“…e kam paditur, që me vendim gjykate të marrë titullin që e meriton, shpifës dhe gënjeshtar, përveçse sekretar i munguar dhe kacë e lënë bosh”, ka shkruar Mehani.
Në reagimin e tij, zv/ministri i Financave ka përmendur edhe pretendimet e ndryshme që janë ngritur ndaj Gucatit, ndër to edhe çështjen e pagës si sekretar.
Kjo çështje ishte bërë më herët objekt i një hulumtimi të KosovaNews, pas të cilit Prokuroria kishte nisur hetimet lidhur me dyshimet se Gucati kishte marrë pagë për 19 vjet si sekretar shkolle, pa shkuar në punë.
Këtu mund ta ndiqni hulumtimin e portalit KosovaNews nga gazetari Jeton Sopa:
Mehani ka përmendur gjithashtu pretendime për “futjen e duarve në kacën e OVL-UÇK-së”, duke thënë se për këto dhe akuza të tjera duhet të flasin organet e drejtësisë.
Ai e ka akuzuar Gucatin edhe për përçarje dhe servilizëm politik ndaj PDK-së.
“Andaj e kam paditur, që me vendim gjykate të merr titullin që e meriton, shpifës dhe gënjeshtar, përveçse sekretar i munguar dhe kacë e lënë bosh”, ka përfunduar Mehani.

