Infeksioni SARS-CoV-2 lidhet me një rrezik të shtuar të lindjes së parakohshme, por vetëm për gratë e infektuara në tremujorin e fundit të shtatzënisë, sipas hulumtimit të botuar në revistën me akses të hapur PLOS ONE.
Studimi i mbi 5000 grave shtatzëna është një nga të parët që ka parë rezultatet e shtatzënisë për pacientet me COVID-19 sipas tremujorit, shkruan MedicalxPress, përcjell KosovaNews.
Ka të dhëna të kufizuara për shtatzëninë dhe infeksionin COVID-19.
Deri më sot, studimet kanë qenë të vogla, përgjithësisht të kufizuara për pacientet që janë shtruar në spital dhe shpesh nuk kanë raportuar rezultate në varësi të infeksionit gjatë fazave të ndryshme të shtatzënisë.
Noga Fallach dhe kolegët nga Qendra e Kërkimit dhe Inovacionit Kahn-Sagol-Maccabi përdorën të dhëna anonime të kapura nga Shërbimet e Kujdesit Shëndetësor Maccabi në Izrael për të krahasuar 2,753 gra që ishin infektuar gjatë shtatzënisë me 2,753 gra pa infeksione të raportuara COVID-19.
Studimi i tyre u zhvillua nga 21 shkurt 2020 deri më 2 korrik 2021. Nga gratë e infektuara, 17.4% u infektuan me COVID-19 gjatë tremujorit të parë, 34.2% gjatë tremujorit të dytë dhe 48.4% gjatë tremujorit të tretë.
Infeksioni me COVID-19 në tremujorin e parë dhe të dytë nuk u shoqërua me rritjen e rrezikut të lindjes së parakohshme.
Megjithatë, gratë e infektuara në tremujorin e tretë kishin 2.76 herë më shumë gjasa të përjetonin lindje të parakohshme – ndërsa gratë e infektuara pas 34 javësh të shtatzënisë kishin mbi shtatë herë më shumë gjasa të përjetonin lindje të parakohshme.
Për shkak të rritjes së rrezikut të lindjes së parakohshme tek gratë e infektuara gjatë shtatzënisë, studiuesit sugjerojnë që gjatë tremujorit të tretë, dhe veçanërisht pas javës së 34-të të shtatzënisë, gratë duhet të këshillohen të distancohen dhe të mbajnë maska për të zvogëluar rrezikun e infeksionit.